Një në tre fëmijë nuk shohin qartë në distancë, duke bërë që të vuajn nga miopia. Ky është studimi i realizuar së fundmi dhe studiuesit janë të shqetësuar nga shifrat në rritje, aq sa deri në vitin 2050 pritet të preken miliona fëmijë të tjerë, ata e vënë theksin se shikimi i fëmijëve është përkeqësuar ndjeshëm sidomos pas pandemisë.
Periudha e Covid-19 pati ndikim mjaft negativ te fëmijët pasi ata shpenzonin shumë kohë para ekraneve.
Normat më të larta të miopisë paraqiten në Azi, 85% e fëmijëve në Japoni dhe 73% në Korenë e Jugut. Ndërsa në Kinë e Rusi 40% e fëmijëve mbajnë syze.
Nivelet më të ulëta të këtij problemi janë në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Paraguai dhe Uganda. Studimi i botuar te ”British Journal of Ophthalmology”, shqyrtoi kërkimet që përfshinin më shumë se 5 milionë fëmijë dhe adoleshentë nga 50 vende në të 6 kontinentet. Nga viti 1990 deri në 2023-in, miopia është rritur me 36%.
Ka faktorë që e bëjnë atë shumë më të mundshme, siç është për shembull gjenetika kur fëmijët e trashëgojnë prej prindërve. Por në shumicën e rasteve lidhet me ekspozimin ndaj ekranit të telefonit, kompjuterit apo televizorit.