Të gjithë kemi momente kur u kërkojmë të tjerëve ta përsëritin atë se çfarë thanë.
Ekspertët tregojnë se cilat janë shenjat paralajmëruese që mund të humbni dëgjimin. Në një sondazh prej 1.000 personave, të cilët kanë problem me dëgjimin tregojnë se tingujt e parë që fillojnë të zhduken janë ata të pikave të shiut dhe fishkëllima e mikrovalës.
Gjithashtu u konstatua se gjasat janë më të mëdha që njerëzit të kenë vështirësi ta dëgjojnë zërin e një mashkulli sesa të një femre kur dëgjimi i tyre përkeqësohet.
Hulumtimi i kryer nga ‘Specsavers’, si pjesë e fushatës “Lost&Found” zbuloi gjithashtu se më shumë se një në katër persona mendojnë se ka qenë e vështirë të përshtaten me problemin e tyre të dëgjimit, me 49 për qind që pranuan se i kanë mohuar problemet e tyre të dëgjimit për një kohë të gjatë. Por, tani, 51 për qind “do të jepnin gjithçka” për të rikthyer dëgjimin e tyre të plotë.
Fushata e re thekson se si një test i shpejtë i thjeshtë dëgjimi dhe aparatet e dëgjimit, mund t’u ndihmojnë njerëzve të rizbulojnë këta tinguj të humbur.
“Kjo më ka bërë të kuptoj edhe më shumë se sa e rëndësishme është të kujdeseni për dëgjimin tuaj dhe më ka sjellë në shtëpi tingujt që do të më mungonin nëse do të humbisja dëgjimin. Ato tinguj mjedisor që janë pjesë e ekzistencës sonë të përditshme që ne ndoshta i marrim si të mirëqenë – si kënga e zogjve dhe reshjet e shiut dhe zhurma e një grerëze – ato i japin kontekst botës sonë”.
“Do të ishte e tmerrshme ta humb dëgjimin; do të ishte fundi i botës për mua”, ka thënë muzikanti Jools Holland.
Rreth 18 për qind e të rriturve të pyetur thanë se vështirësitë e tyre në dëgjim janë një shqetësim i përditshëm, ndërsa për një në pesë persona, kjo është në mendjen e tyre disa herë në javë. Dhe mesatarisht, ata kanë më shumë se shtatë vjet që jetojnë me problemet e tyre.
Hulumtimi, i bërë nga “OnePoll”, zbuloi gjithashtu shenjat treguese të humbjes së dëgjimit – me një në pesë persona që shpesh i kërkohet të ulë volumin e televizorit.
Dhjetë tingujt që dobësohen të parët për njerëzit me vështirësi në dëgjim:
1. Biseda në një bar kafe
2. Cingërima e telefonit
3. Një person duke mërmëritur
4. Toni i një telefonate
5. Pikat e shiut
6. Fishkëllima e mikrovalës
7. Hapja e një pije në kanaçe
8. Sinjali për kalimin e këmbësorëve
9. Telefoni duke cingëruar
10. Sinjalet lajmëruese në stacionin e trenit
Për 22 për qind, ata rregullisht e rrisin zërin kur flasin në telefon me dikë, ndërsa një e katërta shpesh kanë vështirësi të dëgjojnë se çfarë po u thonë njerëzit dhe 27 për qind më pas e gjejnë veten se duhet t’u kërkojnë të tjerëve të flasim me zë të lartë.
Fatkeqësisht, 63 për qind pranojnë se situatat ku shumë njerëz përpiqen të flasin janë rraskapitëse.
Gordon Harrison, shefi audiolog në Specsavers, tha: “Hulumtimi ynë tregon se 59 për qind e njerëzve përkujdesen për dëgjimin e tyre të paktën një herë në javë”.
“Dëgjimi i të gjithëve është unik, prandaj është kaq e rëndësishme të mbroni dëgjimin tuaj veçanërisht nëse vini re ndryshime ose jeni të rrethuar nga zhurma të larta, veçanërisht në punë”.
“Jo vetëm që zhurma e lartë mund të shkaktojë dhimbje, tringëllimë në veshë dhe humbje të përkohshme të dëgjimit, ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës mund të shkaktojë dëmtime të përhershme nervore të pariparueshme, që mund të mos shfaqen për disa vite”.
“Gjëja më e mirë për të bërë është të siguroheni që të mos dëgjoni kurrë muzikën tuaj mbi 60 për qind të volumit, t’u jepni veshëve pushime të rregullta dhe kur e dini se do të jeni të rrethuar nga zhurma e madhe, sigurohuni që të përdorni mbrojtjen e dëgjimit”.
“Parandalimi është gjithmonë më i miri, kështu që nëse vëreni ndonjë ndryshim në dëgjimin tuaj, sigurohuni që të bëni një kontroll falas nga audiologu juaj”.