Ç’mund të na thotë shkenca për përvojën e dukurive paranormale

Nga Ben Alderson–Day

Nëse keni pasur ndonjëherë ndjesinë e frikshme se në dhomën tuaj ka pasur një prani tëdiçkaje edhe kur keni qenë të sigurt se ishit vetëm, mund të hezitoni që ta pranoni. Ndoshta ishte një përvojë e thellë, të cilën je i lumtur ta ndash me të tjerët. Ose më shumë gjasa diçka midis të dyjave.

Në rast se nuk keni pasur një shpjegim që t’ju ndihmojë ta përpunoni atë përvojë, shumica e njerëzve e kanë të vështirë ta kuptojnë atë që u ndodhi. Por tani kërkimet po tregojnë se kjo përvojë e çuditshme është diçka që ne mund ta kuptojmë, duke përdorur modele shkencore të mendjes, trupit dhe marrëdhënien midis të dyjave.

Një nga studimet më të mëdha mbi këtë temë është kryer që në vitin 1894. Shoqata për Kërkime Psikike (SPR) publikoi Censusin mbi Halucinacionet, një anketë që përfshiu më shumë se 17.000 njerëz në Britaninë e Madhe, SHBA dhe Evropë.

Sondazhi synonte të kuptonte se sa e zakonshme ishte që njerëzit të kishin vizita në dukje të pamundura që parashikonin vdekjen e tyre. SPR arriti në përfundimin se përvoja të tilla ndodhën shumë shpesh për t’u cilësuar si thjesht rastësore (1 në çdo 43 persona që u anketuan).

Në vitin 1886, SPR (që kishte si klient edhe ish-kryeministrin britanik Uilliam Gledstoun dhe poetin Alfred Tenison) botoi librin “Fantazmat e gjalla”. Ai përfshinte 701 raste të telepatisë, parandjenjave dhe fenomeneve të tjera të pazakonta.

Për shembull, Atë P.H.Njuhem nga Devonport, tregoi historinë e një vizite në Zelandën e Re, ku një fantazmë që iu shfaq gjatë natës e paralajmëroi atë të mos shkonte në një udhëtim me varkë që do të organizohej mëngjesin e ditës tjetër. Më vonë ai mësoi se të gjithë në atëudhëtim ishin mbytur.

Në atë kohë, fantazmat u kritikuan si një pretendim që nuk kishte baza shkencore. Regjistrimi i dëshmive të tilla pritej me një lloj skepticizmi, por ai vuante nga njëanshmëria e përgjigjes (kush do të shqetësohej t’i përgjigjej një sondazhi të tillë, përveç atyre që kishin diçka për të thënë).

Por përvoja të tilla raportohen në mbarë botën, dhe shkenca bashkëkohore na ofron sot një ide për t’i kuptuar ato. Shumë prej dëshmive të mbledhura nga SPR tingëllojnë si hipnagogji:përvoja halucinative që ndodhin në kufijtë e gjumit. Po ashtu është sugjeruar se disa përvoja fetare të regjistruara në shekullin XIX-të, e kanë një bazë tel hipnagogjia.

Shfaqja e qënieve të pazakonta, ka një lidhje veçanërisht të fortë me paralizën e gjumit, që përjetohet nga rreth 7 për qind e të rriturve të paktën një herë në jetën e tyre. Në paralizën e gjumit, muskujt tanë mbeten të ngrirë, tamam si në fazën e gjumi REM, por mendja jonë është aktive dhe zgjuar.

Studimet kanë sugjeruar se më shumë se 50 për qind e njerëzve me paralizën e gjumit,raportojnë se kanë përjetuar një ngjarje paranormale. Ndërsa ngjarje të tilla në vitet 1800  të dokumentuara nga SPR ishin shpesh qëllim-mira ose ngushëlluese, shembujt modernë të shkaktuar nga paraliza e gjumit priren të përjetohen si keqdashëse.

Shoqëritë në mbarë botën kanë historitë e tyre mbi fantazmat që shfaqen natën – nga “frati trupvogël me dorën e shpuar” në Portugali (Fradinjo da Mao Furada) që besohej se mund të depërtonte në ëndrrat e njerëzve, tek Ogun Oru i popullit Joruba në Nigeri, që besohej se është jetë produkt i viktimave të magjepsura.

Por pse një përvojë e tillë si paraliza e gjumit do të krijonte ndjesinë e një pranie paranormale në dhomë? Disa studiues janë fokusuar tek karakteristikat specifike të zgjimit në një situatë kaq të pazakontë. Shumica e njerëzve e shohin të frikshme paralizën e gjumit, edhe kur ajo është pa halucinacione.

Në vitin 2007, studiuesit e gjumit J.Allen Çejn dhe Tod Zhirar argumentuan se nëse ne zgjohemi të paralizuar dhe të pambrojtur, instinktet tona do të na bëjnë të ndihemi të kërcënuar dhe mendja jonë e plotëson boshllëkun. Nëse duket sikur jemi pre, atëherë duhet të ketë patjetër një grabitqar.

Një qasje tjetër është të analizojmë të përbashkëtat midis “vizitave” gjatë paralizës së gjumit dhe llojeve të tjera të pranisë që perceptohet. Hulumtimet e 25 viteve të fundit kanë treguar se shfaqja e një qënieje të pazakontë që na kumton diçka nuk është vetëm një pjesë e rregullt e peizazhit hipnagogjik, por raportohet edhe tek personat që vuajnë nga sëmundja e Parkinsonit, psikozat apo përvojat afër vdekjes.

Kjo sugjeron se ajo nuk ka gjasa të jetë një fenomen specifik i gjumit. Ne e dimë nga studimet e rasteve neurologjike dhe eksperimentet me stimulimin e trurit, se prani të tilla mund të provokohen nga shenjat trupore. Për shembull, në vitin 2006 neurologu Shahar Arzidhe kolegët e tij ishin në gjendje të krijonin një “figurë hije” që u përjetua nga një grua, truri i së cilës po stimulohej elektrikisht në kryqëzimin e majtë temporoparietal (TPJ).

Figura dukej se pasqyronte pozicionin e trupit të gruas, ndërsa TPJ kombinon informacione rreth shqisave dhe trupave tanë. Një seri eksperimentesh në vitin 2014, treguan gjithashtu se prishja e pritshmërive shqisore të njerëzve, duket se shkakton një ndjenjë pranie te disa njerëz të shëndetshëm.

Mënyra se si funksionon procedura që përdorën studiuesit, është t’ju mashtrojë që të ndiheni sikur po prekni shpinën tuaj, duke sinkronizuar lëvizjet tuaja me një robot direkt pas jush. Nëkëtë mënyrë, truri ynë merr kuptim të sinkronizimit duke arritur në përfundimin se jemi ne, ata që po e prodhojmë atë ndjesi.

Më pas, kur ky sinkronizim ndërpritet, njerëzit mund të ndihen papritur sikur i pranishëm është edhe një person tjetër. Ndryshimi i pritshmërive shqisore të situatës, shkakton diçka tëngjashme me një halucinacion. E njëjta logjikë mund të përdoret për të shpjeguar një situatë si paraliza e gjumit.

Të gjitha informacionet tona të zakonshme për trupat dhe shqisat tona janë ndërprerë në atë kontekst, ndaj nuk është çudi që ne mund të ndihemi sikur ka dhe diçka “tjetër”. Mund të ndihemi sikur është një tjetër prani, kur në fakt jemi vetëm ne.

Në studimin tim në vitit 2022, u përpoqa të gjurmoja ngjashmëritë tek dëshmitë klinike, praktikat spiritualise dhe sportet e qëndrueshmërisë (që janë të njohura për prodhimin e një sërë fenomenesh halucinative , përfshirë ndjesinë e pranisë së dikujt tjetër).

Në të gjitha këto situata, ishin të ngjashme shumë aspekte të ndjenjës së një pranie. Për shembull, subjekti ndjeu se prania ishte pas shpinës së tij Prezencat e lidhura me gjumin u përshkruan nga të tre grupet, dhe po të tilla ishin edhe pranitë e nxitura nga faktorë emocionalë, si pikëllimi dhe humbja e një njeriu të afërt.


Shtuar 28.04.2023 17:59