Albana Daka, mjekje nutricioniste ndau në rubrikën“Abc-ja e shëndetit” disa këshilla që duhet të kenë parasysh personat që merren me aktivitet fizik. Ajo shpjegoi se krahas ushtrimeve, duhet t’i kushtohet vëmendje dhe regjimit ushqimor. Nëse ushtrimet nuk kombinohen me ushqyerjen e duhur, mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin.
Nutricionisjta shtoi se nuk duhet abuzuar gjithashtu dhe me suplementet pasi mund të dëmtojnë veshkat. “Zakonisht një person që merret me aktivitet fizik ka nevojë për suplemente shtesë, proteinike dhe në formën e mineraleve dhe vitaminave. Është një formë energjie e përdorshme për muskujt dhe personat që duan të rrisin masën muskulare për një kohë të shkurtër përdorin keratinën në sasi të ekzagjeruara.
Nëse merret më shumë se 3 muaj shikojmë një prishje të funksionit të veshkës. Suplementet janë të domosdoshme sepse gjatë rritjes së metabolizmit shtohen radikalet e lira. Për t’i hequr marrim antioksidantë si zinku, vitamina D etj por duhen të jenë në sasi të monitorueshme. Nuk mund të marrin suplemente pa bërë një check up. Sot mendohet se ata që merren me aktivitet fizik duhet të dominohet nga karbohidratet.
Si para dhe pas stërvitjes, vakti ushqimor duhet të dominohet nga karbohidratet. Për një person që është 60 kg, i duhen përafërsisht 50-60 gr protein në ditë. Për një profesionist duhet të jetë 1.2 gr në ditë që i merr nga vaktet ushqimore. Nuk këshillohen asnjëherë periudha e gjata fasting tek ata që merren me aktivitet fizik.
Nuk mund të rrijë më shumë se 4-5 orë pa konsumuar diçka sepse ka një metabolizëm të shpejtë dhe kryen në mënyrë intensivet ë gjitha reaksionet dhe do karburant në mënyrë të vazhdueshme.”, tha Daka. Dr. Albana thotë se gjatë stërvitjes humbi një sërë elementësh për shkak të djersitjes dhe për t’i “rimbursuar” duhet të merrni ujë me minerale të shtuara.
“Kalciumi është i nevojshëm sepse gjatë aktiviteti fizik kemi dalje të lëngjeve në djersë dhe përveç ujit nxjerrim dhe elementë të tillë si kalciumi, natriumi, klori dhe magneziumi. Prandaj duhet të përdorim ujë me minerale të shtuar sepse sasia e mineraleve që humbim me djersitjen është e konsiderueshme. Te futbollistët mund të hedhim kripë dhe lëng molle për të rritur elektrolitet sepse humbja e ujit dhe dehidrimi i organizmit çakërdon metabolizmin.“, thotë ajo.