22 Mars, Bektashinjtë festojnë Ditën e Sulltan Nevruzit

Besimtarët bektashinj festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, dita më e rëndësishme fetare e tyre.

Kjo ditë përkujton ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.

Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Nevruzi në gjuhën perse do të thotë “ditë e re” dhe është e festuar për më shumë se 3000 vite.

Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Në kalendarin iranian ajo është dita e parë e vitit të ri dhe përkon gjithashtu me ikjen e dimrit dhe ardhjen e pranverës.

Zakonisht kjo festë zgjat tre ditë. Besimtarët bektashinj këmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas kryejnë ritet fetare.

Në këtë ditë besimtarët nxiten që të ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe sipas traditës shpërndajnë qumësht dhe shërbet, që simbolizojnë pastrimin e trupit dhe shpirtit.

Në ditët e festës, bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose vendosin në derën kryesore degë ulliri.

Traditë e kësaj feste është byreku me lekun brenda. Byreku duhet të përmbajë 12 barishte: spinaq, pazine, lëpjetë, hithra, qepë të njoma, qumeshtor, presh, nenexhik, majdanoz, koper dhe labot.

Këto 12 barishte përfaqësojnë 12 muajt e vitit, ndërsa leku brenda tregon begati dhe fat.

Personit që i bie leku në pjesën e byrekut do të ketë fat për të gjithë pjesën tjetër të vitit deri në 22 marsin e ardhshëm.

Festa është më shumë se 3,000-vjeçare dhe festohet që prej Shqipërisë deri në Kinën veriperëndimore, por kryesisht ndiqet në Iran dhe vendet muslimane të Azisë Qendrore.


Shtuar 22.03.2024 11:48