Mëngjesin e sotëm, ish-ministri Fatmir Mediu, i cili është vënë nën akuzë nga SPAK për tragjedinë e ‘Gërdecit’, është paraqitur në GJKKO.
Sot është parashikuar që të vijojë thirrja në gjyq e dëshmitarëve, për tragjedinë që umori jetën 26 personave dhe plagosi qindra të tjerë.
Gjykata kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka thirrur 71 dëshmitarë në gjyqin për shpërthimin e fabrikës së demontimit në Gërdec.
Deri tani janë pyetur 40 prej tyre, zyrtarë dhe familjarë të viktimave apo personat të prekur nga tragjedia e 15 marsit 2008.
Në seancën e kaluar (27 dhjetor) dëshmoi Shkwlzen Berisha, i lakuar prej 15 vjetësh si personi kyç në përcaktimin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec dhe lidhjet me Mihal Delijorgjin.
I thirrur për të dytën herë në GJKKO, pasi janë marrë edhe deklaratat e dëshmitarëve, Shkëlzeni tha se gjykata e ka thirrur kot.
Ashtu si Fatmir Mediu, ish-ministri mbrojtje dhe Aldo Bumçi, ish-ministër drejtësisë, as djali i ish-kryeministrit nuk di asgjë për faxin e vitit 2007 me mbishkrimin ‘për Shkëlzen Berishën’, dokument që përcaktonte se fabrika do të ngrihej në Gërdec.
Ishte Anila Gjergji, me detyrë inxhinierie software-i e ministrisë së Mbrojtjes, që dëshmoi faksin e ardhur nga ministria e Drejtësisë i shënjuar “për Shkëlzenin’ ku përcaktohej Gërdeci, si vendi i demontimit, fakt për të cilin të gjithë zyrtarët e thirrur kanë ngritur shpatullat para prokurorëve, duke thënë se nuk kishin firmosur, nuk dinin gjë dhe nuk e kishin dërguar ata.