Zyrtarët ukrainas: Rreth 200 fëmijë të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus

Rreth 191 fëmijë janë vrarë dhe 349 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, thanë prokurorët ukrainas në një njoftim për shtyp të mërkurën.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha se disa fëmijë kanë vdekur ditët e fundit për shkak të bombardimeve në verilindje dhe jug të Ukrainës.

Trupat e djegur të një vajze 16-vjeçare dhe një djali 10-vjeçar u gjetën në fshatrat Borodianka, në veriperëndim të Kievit dhe Korolivka, në Ukrainën perëndimore, shtohet në deklaratë.

Fëmijët janë gjithashtu në mesin e viktimave nga bombardimet në qytetin verilindor të Kharkiv, thuhet në deklaratë. Një vajzë 15-vjeçare u plagos rëndë gjithashtu kur një municion goditi një ndërtesë banimi në rajonin jugor të Khersonit./albeu.com


Shtuar 13.04.2022 08:43