Zyra e Shtypit: Presidenti Bajram Begaj, raporte të ngushta në çdo situatë me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti

Nisma e qeverisë së Kosovës për të rihapur urën e Ibrit ka shkaktuar reagime diplomatike ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, disa media në Kosovë kanë shkruajtur se drejtuesit e shtetit si Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti nuk komunikojnë me krerët e shtetit shqiptar, si Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama.

E pyetur në lidhje këtë, Zyra e Shtypit e Presidentit Begaj tha se, “kreu i shtetit ka mbajtur që prej ditës së parë të marrjes së detyrës, kontakte të ngushta, të vazhdueshme dhe konstruktive me drejtuesit e Republikës së Kosovës, në çdo situatë, në çdo kohë dhe në mënyrë të veçantë, me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti”.

“Republika e Kosovës, shqiptarët në troje dhe më gjerë si edhe drejtuesit politikë të tyre, janë dhe kanë qenë prioritet i Presidentit që prej ditës së parë në këtë detyrë”, shtoi Zyra e Shtypit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Begaj zhvilloi sëfundmi një vizitë në Kosovë ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti si edhe drejtues të tjerë politikë të Republikës së Kosovës.


Shtuar 30.08.2024 16:57