Zvarritja e Imunitetit të Ballukut/ Ina Zhupa: Rama po i trajton socialistët si kartona

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka deklaruar këtë të hënë se Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duhet të mblidhet sipas rregullores.

Në mbledhjen e Kryetarëve, Zhupa u shpreh se opozita ka kërkuar disa herë mbledhjen por kjo e fundit është zvarritur nga pala socialiste.

Sipas Zhupës, socialistët po përdoren nga Rama si “kartona” duke shkelur rregulloren për mbledhjen e Këshillit.

“Duhet të kesh guxim të tepruar dhe pafytyrësi të thuash që sesioni i kaluar ishte sukses dhe dhënie hapësire për deputetët e opozitës. Treguesi kohor që citon Balla, ku opozita ka folur 48 orë dhe mazhoranca 40 orë, tregon që paskeni folur shumë. Sepse Edi Rama ju trajtoi si kartona dhe ushtarë pa personalitet, teksa ju tha: ju mos diskutoni, por vetëm miratoni projektligje. Edhe në këtë porosi, ku askush nga ju s’e kundërshtoi, ju ftoj që këtë sesion të flisni 4 orë gjithsej, sepse atë rol ua kanë dhënë: si kartona”.


Shtuar 19.01.2026 12:46