Ambasadori i sapoemruar i Maqedonisë së Veriut në SHBA, Zoran Popov sot kaloi filtrin e Komisionit kuvendor për Politikë të Jashtme. Ai tezat e tij para Komisionit për Politikë të Jashtme i prezantoi prapa dyerve të mbyllura. Paraprakisht, përfaqësues i MPJ-së para Komisionit sqaroi se për shkak të informacioneve delikate kërkohet që prezantimi i tij të jetë i mbyllur për publikun, ndërsa në prezantim kanë pasur mundësi të marrin pjesë vetëm deputetët që kanë certifikata të sigurisë.
Agremani për Popovin nga Uashingtoni është marrë para një muaji. Popov paraprakisht ka qenë i angazhaur si sekretar shtetërorë në Ministrinë për Punë të Jashtme.
Funksioni i ambasadorit të RMV-së në SHBA ka qenë i zbrazët për mbi 4 vite. Ambasadori i fundit në SHBA ka qenë Vasko Naumovski, në periudhën 2014-2018.
Pas pjesës së mbyllur, seanca e Komisionit është ndërprerë për shkak të seancës plenare. Pritet caktimi i vazhdimit të seancës së komisioni, ku tezat duhet t’i prezantojnë edhe ambasadori i ri në Kanada, Agron Buxhaku, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Mbretërinë e Norvegjisë, Driton Kuqi, si edhe ambasadori i jashtëzakonshëm dhe i autorizuar i vendit në Mbretërinë e Belgjikës, Metodia Belevski./TV 21/