Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të dy personave që në mënyrë të qëllimshme i kanë vënë zjarrin një masivi pyjor në malin Partizan në Berat.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla shkruan se zjarrvënia cilësohet vepër e rëndë penale dhe dënohet deri në 15 vite heqje lirie.
“Dje u bënë publike në mediat kombëtare pamjet e momentit kur dy persona i vendosin zjarrin në mënyrë të qëllimshme një masivi pyjor në malin Partizan. Sot Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë dy zjarrvënësit, t’i arrestojë dhe po vijon punën për dokumentimin e dëmeve të shkaktuara mjedisore, pronës private dhe publike.
KUJTESË! Është vepër e rëndë penale zjarrvënia me dënime që shkojnë deri në 15 vite heqje lirie”, shkruan Balla.