Së paku 52 njerëz kanë vdekur nga zjarri në një ndërtesë shumëkatëshe të enjten në Johanesburg, qytetin më të madh të Afrikës Jugore, njoftuan autoritetet.
Shërbimi Emergjent i Johanesburgut tha mbi 40 persona të tjerë u lënduan nga zjarri, i cili u ndez në orët e hershme të 31 gushtit.
Zëdhënësi i Shërbimit Emergjent, Robert Mulaudzi, tha një operacion i kërkimit ka nisur tashmë, dhe se ka gjasa që numri i viktimave të rritet.
Autoritetet thanë se zjarri është shuar në masë të madhe, por tymi ende është duke dalë nga dritaret e ndërtesës së nxirë në qendër të Johanesburgut.
Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar zjarrin, ndërkohë që ndërtesa është evokuar plotësisht tashmë.
Mulaudzi theksoi se ndërtesa ishte “një vendbanim joformal” ku njerëzit e pastrehë ishin zhvendosur në kërkim të akomodimit pa ndonjë marrëveshje kontrate formale. Sipas tij, kjo e ka bërë të vështirë kërkimin e njerëzve në ndërtesë.
Në ndërtesë mund të kenë qenë duke jetuar rreth 200 njerëz, sipas dëshmitarëve. /REL