Zjarri që ka përfshirë Delvinën po lë pa gjumë prej më shumë se 1 jave banorët e disa fshatrave. Frika se mos zjarri do iu digjte banesat i mban me ankth, por fatkeqësisht era e fortë e ka përhapur me shpejtësi drejt shtëpive ku deri tani raportohet se janë djegur 11 prej tyre.
Flakët kanë “përpirë” edhe një strukturë të destinuar për agrobiznes.
Sakaq, efektivët e zjarrfikëseve kanë nisur evakuimin e banorëve.
Kryebashkiaku i Delvinës, Besmir Veli konfirmoi se situata është tejet kritike dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme me përforcime.
Në terren ndodhen katër automjete zjarrfikëse dhe dhjetëra efektivë si dhe është kërkuar ndihma e banorëve të fshatrave Kalasë, Tatzat, Fushë-Vërri dhe Vanë, për të ndihmuar me mjete të improvizuara në frenimin e përhapjes së zjarrit.
Për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë, autoritetet kanë angazhuar edhe dy helikopterë për të ndihmuar nga ajri në operacionin e shuarjes së flakëve.