Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar unanimisht një fond prej 3.000.000 lekësh të rinj në ndihmë të Bashkisë së Gramshit, e cila u përball me pasojat e zjarreve shkatërruese të muajit gusht që prekën disa fshatra të zonës.
Ky fond ka për qëllim të mbështesë menjëherë Bashkinë Gramsh për të përballuar kostot e dëmeve të shkaktuara, të lehtësojë barrën financiare që solli emergjenca, si dhe të mundësojë rikuperimin e një pjese të territorit të prekur.
Në vendim theksohet se ky akt synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin ndërbashkiak dhe frymën e ndihmës reciproke për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe jo vetëm.