Zjarri në Sazan, situata kritike, dëgjohen shpërthime në zonë

Zjarri në Sazan mbetet kritik dhe po përhaphet me shpejtësi, ndihmuar dhe nga era që po fryen në zonë.

Burime bëjnë me dije se në zonë janë dëgjuar shpërthime, të cilat mendohet të jenë municione të vjetra, por edhe pemë që po digjen nga flakët.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se janë angazhuar forca të shumta për shuarjen e flakëve, ata të Armatosura dhe i gjithë sistemi i Mbrojtjes Civile. Gjithashtu ka dhe vullnetarë, por përsëri, situata mbetet kritike. Këtë e ka pranuar dhe vetë ministri mëngjesin e sotëm, ku përmes një postimi në Facebook u shpreh se “Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit, me pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë. Tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë, ndërsa përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll”.

Ndërhyrja nga ajri nuk po bëhet pasi nuk kemi helikopterë “Cougar”. Vetëm një që është sjellë në Shqipëri në muajin dhjetor është në gjendje, por nuk përdoret dot pasi ka probleme me rrjedhje transmisioni që prej 10 shkurtit. Të tjerët janë nëpër Europë, duke u “mirëmbajtur”, bazuar në kontrata korruptive.


Shtuar 6.06.2022 12:16