Zjarri në Qafë Buall, Ministria e Mbrojtjes: Po angazhohen mbi 90 forca dhe dy helikopterë për izolimin e flakëve

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar për një operacion të gjerë për shuarjen e zjarrit që ka rënë në zonën e Qafë Buallit, pranë qytetit të vjetër të Bulqizës dhe fshatit Plan i Bardhë.

Vatra e zjarrit ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të thatë, ndërsa operacioni për izolimin e flakëve po zhvillohet si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

Në terren janë angazhuar:
• 8 mjete zjarrfikëse
• 40 efektivë të MZSH
• 15 efektivë të Policisë së Shtetit
• 25 forca të bashkisë
• 10 forca vullnetare

Po ashtu, në ndihmë të operacionit janë përfshirë edhe 2 helikopterë, të cilët po kryejnë ndërhyrje ajrore me hedhje uji në mënyrë të vazhdueshme dhe në rotacion.

Autoritetet janë në monitorim të pandërprerë të situatës, ndërsa po vlerësohet nevoja për shtim të forcave apo për masa shtesë në varësi të përhapjes së flakëve.

Për momentin, nuk raportohet për rrezik të banesave, por për shkak të terrenit të thepisur dhe erërave, operacioni për shuarjen e zjarrit mbetet kompleks.


Shtuar 26.07.2025 21:07