Parku Kombëtar i Prespës në Pustec u përfshi nga flakët pasditen e sotme ndërsa vatra është ende aktive. Për shkak të terrenit të vështirë ndërhyrja është thuajse e pamundur.
Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, tha se ndërhyrja ishte e mënjehershme sapo u sinjalizuan, por thatësira dhe moti i nxehtë favorizuan përhapjen e zjarrit.
“Në terren kanë qenë zjarrfikësit e bashkisë sonë, ata të Pogradecit, punonjës të shërbimeve publike dhe zona e mbrojtur. Jemi në koordinim për të vijuar ndërhyrjen në orët e para të mëngjesit, pasi specialistët vlerësojnë se do të jetë më efikase,” deklaroi Kolefski.
Kolefski u shpreh se sipërfaqja e djegur është e konsiderueshme por për shkak të terrenit të thyer dhe bimësisë së dendur, nuk mund të jepet ende një shifër e saktë.
Shkaku i zjarrit nuk dihet ende ndërsa flitet për pakujdesi ose zjarrvënie të qëllimshme, çështje që do të vërtetohet nga autoritetet.