Vajza 6-vjeçare, e lënduar rëndë nga zjarri që përfshiu banesën e saj në Maliq, është transportuar drejt Tiranës për trajtim të specializuar mjekësor.
Sipas Spitalit Rajonal të Korçës bëhet me dije se e mitura ndodhet në gjendje kritike për jetën, për shkak të djegieve të shumta në trup.
Sipas informacioneve, e mitura është gjetur jashtë banesës, në gjendje të vetëdijshme, por me dëmtime të rënda.
Vëllai i saj, 14-vjeçari Luka Azisllari, u gjet në gjendje kome dhe ndërroi jetë pak orë më vonë në spitalin e Korçës, si pasojë e asfiksisë dhe djegieve.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së dielës në bllokun nr. 3 të qytetit të Maliqit, ku një zjarr përfshiu banesën ku ndodheshin nëna Merjeme Azizllari dhe dy fëmijët e saj.
40-vjeçarja u gjet pa shenja jete në derën e kuzhinës, pasi kishte tentuar të shpëtonte fëmijët nga flakët.
Shkaqet e zjarrit janë ende nën hetim, por dyshohet se mund të ketë nisur nga një sobë me dru që familja përdorte për ngrohje.
Familja Azisllari, sipas dëshmive të fqinjëve, përballej me kushte të vështira ekonomike dhe fëmijët vuajnë nga probleme shëndetësore.