Zjarri në malin e Skërficës, rrezik për pyllin e mbrojtur të Pikësit

Një vatër zjarri ka shpërthyer sot në malin e Skërficës, në territorin e Bashkisë Delvinë, dhe ka krijuar shqetësim për përhapjen e flakëve drejt Gjirokastrës.

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) Gjirokastër ka njoftuar menjëherë kolegët e MZSH Delvinë, të cilët kanë dërguar një grup zjarrfikësish për të ndërhyrë në terren.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri vijon të jetë aktiv dhe në varësi të drejtimeve të erës, ka mundësinë të përhapet në sipërfaqe të mëdha, duke rrezikuar pyllin e mbrojtur të Pikësit.

Për shkak të terrenit të thepisur dhe largësisë, zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë me mjete tokësore sot.

Ndërsa, një grup prej 10 zjarrfikësish pritet të dërgohet nesër për të vazhduar përpjekjet për izolimin e flakëve, ndërkohë që do të kërkohet mbështetje nga forcat ushtarake për ndërhyrjen tokësore.

Duke marrë parasysh vështirësinë e terrenit dhe rrezikun e lartë të përhapjes së lartë të zjarri në sipërfaqet pyjore të mbrojtura, autoritetet e konsiderojnë të domosdoshme një ndërhyrje emergjente nga ajri, për të shmangur dëmtime të parikuperueshme në zonën e mbrojtur.


Shtuar 3.08.2025 17:35