Zjarri në Malin e Çikës, Meta: Të ndërpriten urgjentisht pagesat fiktive për inceneratorët dhe të shtohet fondi për mbrojtjen nga zjarret

Ndërsa Mali i Çikës prej ditësh është përfshirë nga zjarri dhe flakët tashmë rrezikojnë banesat në fshatin Dhërmi, ka reguar presidenti Ilir Meta.

Përmes një postimi në Facebook, Meta bën thirrje për ndërprerje pagesash fiktive për inceneratoret dhe të shtohet fondi për mbrojtjen nga zjarret.

Reagimi i Metës:

TË NDËRPRITEN URGJENTISHT PAGESAT FIKTIVE PËR INCENERATORËT DHE TË SHTOHET FONDI PËR MBROJTJEN NGA ZJARRET!

Për tre ditë me rradhë vatrat e zjarrit në Malin e Çikës në Vlorë po shkatërrojnë hektarë pyje, pasuri publike.

Siç dëshmon dhe kjo foto e fundit, flakët po përparojnë me shpejtësi drejt fshatit turistik të Dhërmiut, të tejmbushur me turistë, duke kërcënuar gjithashtu Kondraqin dhe Borshin.

Për fat të keq, Qeveria që paguan çdo ditë mijëra euro për mafien e inceneratorëve, vijon të mos shpenzojë as 1 cent për të shtuar fondin për mbrojtjen nga zjarret.

Lënia në mëshirë të fatit të pasurisë natyrore dhe moskokëçarja përballë kërcënimit serioz të shëndetit, jetës dhe pronës së qytetarëve është tronditëse!

I bëj thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse qendrore dhe vendore, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile të ngrihen në këmbë, të marrin në dorë situatën dhe të reagojnë me urgjencë!

E konsideroj kriminale mosnxjerrjen e mësimeve nga e kaluara dhe mosveprimin në kohë në lidhje me zjarret!