Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka zbritur në vendin e ngjarjes duke ndjekur dhe monitoruar nga afër situatën me zjarret në fshatin Hoshtimë.
Për mediat, Dredha ka pohuar se disa vatra janë vënë në kontroll, ndërkohë që dyshohet se zjarri të ketë nisur nga varrezat e kësaj zone.
Ai pohoi se të gjitha strukturat janë në terren dhe do punojnë me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe për të kuptuar nëse ky zjarr ishte i qëllimshëm apo jo.
“Të gjitha strukturat në terren për menaxhimin e situatës. Zjarri dyshohet se ka ardhur nga varrezat e Hoshtimës. Po punohet nga forcat zjarrfikëse, Policia dhe forcat e armatosura dhe nga ajri. Patjetër që do të ketë hetim për zjarrin nga strukturat, ndërsa nëse mund të themi i qëllimshëm apo gabim njerëzor, këtë do ta përcaktojnë hetimet”, tha Dredha.
Ndërkohë që nga ana tjetër, prefekti i qarkut të Vlorës, Plator Nesturi, i cili po ashtu ndodhen në vendin e ngjarjes është shprehur për mediat se shumë prej zjarret janë të qëllimshme. Ai u bëri thirrje autoriteteve që të marrin masa ndaj këtyre personave të cilët shkaktojnë situata të tilla.
“90% e zjarreve janë të qëllimshme”, tha ai ndër të tjera.