Zjarri në Dukat të Vlorës, ministri Vengu zbret në terren: Orë të vështira…

Prej ditësh vijon të jetë aktiv zjarri në Dukat të Vlorës, ku mbi 80 efektivë janë angazhuar nga toka dhe ajri, për të mbajtur nën kontroll flakët që kanë pushtuar zonën.

Sot në terren ka zbritur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili i shoqëruar nga drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, kanë shkuar në Dukat për të parë nga afër situatën me zjarrin problematik që kërcënon Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Përmes një postim në rrjetet sociale, Vengu shkruan se për shkak të terrenit të vështirë malor, është aktivizuar ndihma nga ajri përmes helikopterëve Cougar të ushtrisë, për të parandaluar përhapjen e zjarrit.

Sipas Vengut, orët në vijim do të jenë të vështira për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta. Të paktën 50 efektivë janë në terren duke punuar për shuarjen e zjarrit.

“Gjendemi këtu në lartësitë e Dukatit, ku prej disa ditësh në fakt kemi një situatë dhe një brez zjarri i cili ka rrezikuar në fakt një përhapje domethënëse. Që prej orëve të para të mëngjesit, kemi një ndërhyrje nga ajri dhe mbështetje nga toka me efektivë të Forcave të Armatosura, të Bashkisë Vlorë, të Pyjores së Vlorës, praktikisht 50 persona që janë në operacion e sipër sot në këtë zonë, në mënyrë që të krijohet një perimetër dhe të mund të parandalohet kalimi i këtij fronti zjarri në anën tjetër të Parkut të Llogarasë. Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit, por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale. Operacioni i mbështetjes nga ajri me helikopterët Cougar do të vijojë gjatë gjithë ditës në mënyrë që të kemi të gjithë instrumentet në dispozicion”, tha ministri i Mbrojtjes.


Shtuar 20.07.2025 17:01

Tags: ,