Verës së këtij viti Fushë-Arrëzin e kanë shoqëruar dhjetëra vatra zjarresh që dogjën qindra hektarë pyje dhe vunë në rrezik jetën e zjarrfikësve. Mes tyre, edhe 40-vjeçari Gëzim Lika, i cili prej nëntë vitesh shërben në repartin zjarrfikës të qytetit.
“E kishim bërë zakon të nisnim në 6 të mëngjesit dhe ktheheshim në mesnatë. Sa herë kemi ngelur mes tymit dhe kemi menduar se nuk do dilnim gjallë”, rrëfen Lika.
Ai tregon se përveç flakëve, rreziku më i madh kanë qenë municionet e mbetura në mal, të cilat shpërthenin në mes të operacioneve. “Na kanë shpërthyer granata. Ka pasur raste kur kemi thënë se do ta lëmë punën, sepse rreziku ishte i madh”, thotë zjarrfikësi.
Megjithatë, pasioni për profesionin e ka mbajtur në shërbim, ndonëse kushtet janë të vështira dhe paga nuk mjafton. “Me mjete jemi mirë, por me pajisjet që duhen për aksidente jo. Kemi bërë kërkesa shumë herë. Shpresojmë të pajisemi një ditë si repartet e tjera në Shqipëri”, shprehet ai.
Lika shton se rroga e zjarrfikësit nuk mjafton për të mbajtur familjen, por ai dhe kolegët e tij e kanë pritur me kënaqësi lajmin për shpërblimet e premtuara. “S’kemi besë derisa ta shohim të realizuar. Shteti duhet të vërë dorë te pagat dhe pajisjet e zjarrfikësve”, apelon ai.
Me dhjetëra eksperienca të rrezikshme të mbartura ndër vite, Gëzim Lika shpreson se një ditë edhe në Shqipëri profesioni i zjarrfikësit do të marrë vlerësimin që ka në vendet e zhvilluara./Shqiptarja.com