Zjarreve në Finiq po u vjen fundi, Ministria e Mbrojtjes: Ndërhyrje nga ajri dhe toka, situata drejt normalizimit

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar së fundmi se situata e flakëve në zonën e Finiqit po shkon drejt normalizimit, falë një operacioni të gjerë nga ajri dhe punës së pandërprerë nga toka.

Kjo situatë vjen nga ndërhyrja e një helikopter të Forcave Ajrore, 28 efektivë me 8 automjete zjarrfikëse nga MZSH-të e bashkive Finiq, Sarandë, Delvinë, Konispol, Gjirokastër dhe Dropull, si edhe 30 trupa të Forcave të Armatosura të Shqipërisë me 3 mjete zjarrfikëse. Atyre gjithashtu iu bashkuan edhe forcat e pyjores dhe rreth 40 vullnetarë, të cilët vunë nën kontroll flakët.

Aktualisht, puna po vijon nga toka për të shuar çdo vatër që mund të riaktivizohet gjatë orëve në vijim, veçanërisht në fshatrat Dhivër, Shëndre dhe Cerkovicë.

Ndërkohë, banorët e këtyre zonave kanë nisur të kthehen në banesat e tyre, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë.


Shtuar 7.08.2025 18:06

Tags: ,