Gjatë 24 orëve të fundit në vend, janë raportuar 24 vatra zjarri në të gjithë vendin. Aktualisht, katër prej tyre mbeten aktive në qarqet Dibër, Fier dhe Vlorë, me dëme të konsiderueshme në sipërfaqe të mëdha toke.
Sipas raportimeve nga Emergjencat Civile, në total janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.
Zjarri më i përhapur vijon të jetë në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër, ku dy vatra janë ende aktive njëra në afërsi të Gurë Lurës dhe tjetra pranë kanalit të ujit të HEC-it, e cila po monitorohet.
Një vatër tjetër në krahun e Malit të Dejës, po përhapet me shpejtësi drejt bashkisë Mat.
Në Bulqizë, në zonën e Malit të Peladhisë, flakët kanë përfshirë rreth 32 hektarë, ndërsa një vatër aktive mbi fshatin Vlash po mbahet nën kontroll.
Në Fier dhe Mallakastër, zjarri në zonën Drenovë–Gorishovë, vijon të jetë sfidues për shkak të erës dhe terrenit të thyer, duke rrezikuar ullishtet e fshatit Gorishovë.
Në Borsh të Himarës, flakët që përfshinë një sipërfaqe pyjore nuk janë izoluar plotësisht.
Instituti i Gjeoshkencave, njofton se nuk priten reshje, ndërsa rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.