Shqipëria është përfshirë nga zjarret më shkatërruese në një dekadë.
Sipas të dhënave të sistemit europian për zjarret dhe pyjet rezulton se në vendin tonë në 7 muaj janë djegur si pasojë e zjarreve mbi 49 mijë hektarë tokë.
Nga të dhënat vërehet se kjo është sipërfaqja më e madhe e regjistruar që prej vitit 2012 ku rezulton se në të gjithë vitin janë djegur mbi 53 hektarë sipërfaqe në të gjithë vitin.
Ndërkohë në total sipas të dhënave rezulton se janë 93 vatra zjarresh.
Aktualisht situate e zjarreve në vend paraqitet e nënkontroll ndërsa Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka ngritur grupet e punës për monitorimin e fermave dhe raportimin mbi gjendjen e shëndetit të kafshëve blegtorale në zonat e prekura nga zjarret në bashkitë Delvinë, Finiq dhe Gramsh.
Nga të dhënat e deritanishme nga terreni, konstatohet:
Nga të dhënat e deritanishme nga terreni, konstatohet se në Fshatrat Tremul dhe Aliko (Njësia Administrative Aliko, Bashkia Finiq): Janë shkaktuar dëme në kullota dhe parcela me ullinj, por nuk ka humbje në bagëti.
Fermerët janë udhëzuar për hapat që duhet të ndjekin në rast rreziku.
Në Njësinë Administrative Dhivër po të Bashkisë Finiq janë dëmtuar kullota dhe ullishte.
Fermat që rrezikoheshin nga mungesa e ushqimit për bagëtitë u evakuuan në zona të sigurta me kullota, larg vatrave të zjarrit.
Në bashkinë Delvinë situata paraqitet e rënduar. Grupet e punës vijojnë monitorimin në terren.
Paraprakisht dyshohet për djegien e një ferme me 25 krerë të imtash dhe 9 parqe bletësh, me gjithsej 500 zgjoje.
Fshatrat Skëndërbegas, Arunas, Shëmbërdhenjë, Bletës dhe Kullollas: Janë konstatuar të djegur 9 krerë gjedh, 95 krerë të imtash dhe 50 zgjoje bletësh.
Grupet e punës janë në terren për evidentimin e plotë të dëmeve dhe në ndihmë të fermerëve.
Kafshët e ngordhura po groposen. Deri më tani, sipas protokolleve veterinare janë groposur 39 krerë të imta dhe gjedh.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve u bën thirrje fermerëve të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet shtetërore për mbrojtjen e jetës së tyre dhe shëndetit të kafshëve.