Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord të rinovojnë një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e emergjencave civile, në një kohë që të dy vendet kanë nisur të përballen me problematika të tilla si zjarret.
Në vijim të vizitës zyrtare dyditore në Greqi, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u prit edhe nga Zëvendësministri i Mbrojtjes Civile dhe Emergjencat Klimaterike. Ministri Peleshi falënderoi vendin fqinj për mbështetjen e dhënë në rastin e tërmetit tragjik të vitit 2019, gjatë pandemisë së COVID-19 si dhe në ndihmën për fikjen e vatrave të zjarrit në vendin tonë, jo vetëm gjatë verës së shkuar, por edhe për ndihmën e dhënë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së në shuarjen e zjarrit në Sazan.
Në të njëjtën kohë, z. Peleshi shpalosi synimet e Ministrisë së Mbrojtjes për të rritur kapacitetet në fushën e emergjencave civile si dhe shprehu vlerësimin e tij për kontributin e Greqisë në këtë drejtim.