Zjarret e qëllimshme në vend, Rama: Krim barbar, bravo policisë që u është qepur këmba-këmbë autorëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me siituatën e zjarreve në vend dhe ka falënderuar efektivët që u angazhuan në kapjen e autorit që i vuri flakët pyllit me pisha në Laç.

Në një postim në “Facebook”, Rama bën thirrje që të raste të tilla të çohen pas hekurave dhe se përgjegjësit e këtyre krimeve duhet të ndëshkohen.

REAGIMI:

Një bravo e madhe për Policinë e Shtetit që këtë verë u është qepur këmba-këmbës zjarrvënësve, duke arritur t’i kapë dhe çojë prapa hekurave, si në rastin e kriminelëve që i vunë zjarrin pyllit në Laç, për të cilët përsëris, si për gjithë të arrestuarit e tjerë, apelin në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg

Një falënderim i përsëritur për trupat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila e ka rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik, duke e mbrojtur me profesionalizëm e shpirt sakrifice pasurinë e paçmueshme natyrore dhe ulur në mënyrë të konsiderueshme dëmet potenciale të këtyre krimeve të neveritshme në verbërinë, shpirtligësinë, marrëzinë e tyre.


Shtuar 23.08.2023 16:18