Zjarr pranë autostradës Lushnje-Fier, flakët u afrohen bizneseve në zonë

Mesditën e sotme, në autostradën Lushnje Fier, një zjarr ka përfshirë bimësinë e thatë në një kanal në afërsi të vendit të quajtur pushimi i shoferit.

Duke parë se zjarri i ndihmuar nga era e fortë po përparonte drejt disa bizneseve të zonës, është njoftuar policia dhe zjarrfikësit e Lushnjes.

Në vendngjarje kanë shkuar me urgjencë shërbimi i mbrojtjes nga zjarri i bashkisë Lushnje, si dhe polica e qarkullimit rrugor.

Ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë që vatra e zjarrit të izolohet dhe të shuhet, duke mos përbërë rrezik për bizneset ngjitur me vatrën e zjarrit.

Ky është një nga ato raste kur papërgjegjshmëria e ndezjes së një zjarri, mund të rezultonte fatale për bizneset pranë.

Sipas zjarrfikësve, zjarri ka qenë aksidental dhe mund të ketë ardhur si pasojë e hedhjes së ndonjë cigareje nga ndonjë automjet në lëvizje.


Shtuar 23.03.2026 15:56