Zhvillimi i energjisë diellore, miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik 82 MW në Fier

Këshilli i Ministrave miratoi ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 82 MW në fshatin Boçovë, bashkia Fier.

Investimi do të realizohet nga shoqëria “ALBANIA SOLAR POWER” sh.p.k., dhe nuk është objekt koncesioni apo masash mbështetëse.

Afati i ndërtimit dhe vënies në punë është 36 muaj nga data e hyrjes në fuqi të vendimit, ndërsa afati i operimit është 49 vjet.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje të rregullt gjatë realizimit dhe operimit të impiantit.

Shoqëria “ALBANIA SOLAR POWER” ka detyrimin të raportojë çdo tre muaj për ecurinë e ndërtimit, të respektojë kushtet mjedisore dhe ligjore, si dhe të sigurojë një depozitë sigurimi prej së paku 5% të vlerës së investimit.

Gjithashtu, do t’i japë falas ministrisë përgjegjëse për energjinë 2% të prodhimit vjetor të energjisë, në formë royalty, ose vlerën monetare përkatëse.

Në Shqipëri, prodhimi i energjisë nga dielli po rritet me ritme të shpejta falë potencialit të madh diellor dhe investimeve në energji fotovoltaike. Përdorimi i paneleve diellore për prodhimin e energjisë elektrike është duke u zgjeruar, duke kontribuar në diversifikimin e burimeve energjetike dhe uljen e varësisë nga burimet tradicionale.


Shtuar 4.06.2025 17:58