Zhvatja e pronave të ushtrisë duket të jetë akti final i përvetësimit të gjithçkaje që i përket qytetarëve të Republikës së Shqipërisë nga një grusht njerëzish përreth pushtetit, të cilët e ndjejnë veten të paprekshëm deri në momentin kur SPAK do të fillojë të merret seriozisht me ta.
Gjasat janë që divorci i pushtetit me oligarkët përreth tij të bëhet pikërisht përmes SPAK, por ka ende ujë që duhet të rrjedhë deri atëhere.
VIDEO/ Pamjet satelitore: Si u pushtua baza e ushtrisë nga koncensionari në Porto Romano, punimet nisën verën e kaluar, SPAK hap dosjen
AlbEu.com raportoi mbi pushtimin e territorit të ish-depos së minave detare në Porto Romano nga koncensionari “Porti MBM” në pronësi të Kastrati Group dhe Europetrol Durrës Albania, të cilët kanë maxhorancën dërrmuese të aksioneve në këtë koncenesion, krahas Salillarit që ka vetëm 1% (!).
Pavarësisht se deri më tani janë tre padi nga Ministria e Mbrojtjes për koncensionarin Porti MBM, i cili dukshëm ka pushtuar pronën e ushtrisë duke kryer mbi të gjitha punime pa leje aty, duket se shteti shqiptar është i pafuqishëm me dashje apo padashje ndaj oligarkëve, të cilët gjejnë guximin të sillen kështu edhe me bazat e ushtrisë, pjesë e NATO-s duke cënuar sigurinë kombëtare të vendit, por edhe të aleancës.
Bashkëpunimi i shtetit me oligarkët që po pushtojnë gjithçka vërtetohet edhe nga fakti se deri më tani Shqipëria ka dërguar në hapësirë dy satelitë Albania 1 dhe Albania 2, të cilët u tha se do të evidentonin çdo ndërtim pa leje në vendin tonë. Rrjedhimisht, pyetja që shtrohet është: Si mundet që këta satelitë nuk kanë mundur (!) të dallojnë batërdinë që po bëhej me bazën e ushtrisë në Porto Romano, ndërkohë që policia e prokuroria tregohen shumë të zellshëm edhe ndaj çdokujt që merr guximin të ndërtojë edhe një kotec pulash pa leje?!
Nëse satelitët nuk dallojnë një shkelje kaq të hapur të ligjit, duke cënuar edhe sigurinë kombëtare, për çfarë na duhen atëhere në hapësirë?!
AlbEu publikoi dje pamje satelitore që konfirmojnë se punimet pa leje në bazën e ushtrisë në Porto Romano kishin nisur të paktën që në verën e vitit të shkuar, por ato nuk ishin pamje nga Albania 1 apo Albania 2.
Nisja e hetimeve nga SPAK
SPAK ka nisur hetimet tashmë në lidhje me pushtimin e territorit të ish-bazës së minave detare në Porto Romano nga kompania koncenesionare Porti MBM, në pronësi të Kastrati Group dhe Europetrol Durrës Albania SHA.
Gjithçka ndodh pas denoncimeve publike të ish-ushtarakëve të lartë, denoncimeve në media si edhe tre padive të mëparshme të Ministrisë së Mbrojtjes në Prokurorinë e Durrësit për punime pa leje në territorin e pronës së ushtrisë në Porto Romano.
Punimet pa leje në këtë zonë ushtarake, pa marrë asnjë miratim qoftë nga qeveria apo vetë Ministria e Mbrojtjes kanë nisur prej muajsh, por deri pak ditë më parë askush nuk ishte ndjerë.
AlbEu konstaton se punimet pa leje në këtë territor kanë nisur të paktën që prej verës së vitit të kaluar.
Të paktën kjo është ajo që duket nga pamjet satelitore të konsultuara nga AlbEu, të cilat datojnë në nëntor të vitit 2022. Në këtë datë kur janë marrë këto pamje duket se ish-baza e minave detare është zaptuar nga punime nga të gjitha anët e saj duke pushtuar të gjithë territorin e që i përket (shiko pjesën e rrethuar me të kuqe).
Edhe pse tre godina të rrënuara mbeten ende në këmbë, ato janë thuajse të shkatërruara dhe u janë hedhur mbejtje sipër në pritje të goditjes së radhës, pra shembjes dhe marrjes së tokës pa shumë zhurmë.
Siç shihet nga pamjet e siguaruara nga AlbEu, anash ish-depove të minave janë kryer punime dhe është hapur një rrugë e madhe ku kalojnë kamionët me interte që hidhen në pjesën tjetër të kodrës krah kësaj godine.
Situata duket shumë flagrante pas inga pamjet satelitore konstatohet se punimet janë kryer në të gjithë perimetrin përreth këtyre godinave edhe pse edhe toka aty i përket ushtrisë.
Të pahedhura në tokë janë vetëm tre godina, ndërsa gjithçka përreth, përfshi edhe kodrën është “palosur” përdhe për të hapur sheshin në shërbim të koncensionarit Porti MBM.
Zaptimi i bazave detare
Ishte fillimisht GJKKO, e cila sekuestroi bazën e Limionit në Sarandë, e cila i ishte dhënë bashkimit të kompanive Kastrati Group dhe Edil Al për të ndërtuar një resort turistik dhe një port.
Lexo edhe: Zaptimi i pronave të ushtrisë, kush e ka radhën për në SPAK pas Xhaçkës dhe Kollçakut? Deri ku do të shkojë bisturia e prokurorëve pas cënimit të sigurisë së NATO-s?
Siç ka raportuar më herët AlbEu, bëhet fjalë për një hapësirë gati 260 mijë metër katror, të cilat hiqen nga përdorimi i Forcës Detare dhe jepen për shfrytëzim për qëllime private. Sekuestroja e GJKKO-së do të vijojë deri në përfundimin e hetimeve nga SPAK. Prokurorët e SPAK kanë marrë deri më tani në pyetje ministren Olta Xhaçka që më herët ka patur detyren e ministres së Mbrojtjes, si edhe ish-kreun e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bardhyll Kollçaku. Pritet që SPAK të mos mjaftohet vetëm me këta të dy, por të shtrijë hetimet edhe te aktorët e tjerë.
Porto Romano
Situata duket edhe me flagrante sa i përket Porto Romanos, pasi pa asnjë leje apo vendim të institucioneve, koncensionari “Porti RMB”, në pronësi të kompanive “Kastrati Group” dhe “Europetrol Durrës Albania” janë zgjeruar në drejtim të territorit të ish-depos së minave detare që ndodhej ngjitur me pronën e marrë me koncension nga kompanitë në fjalë.
Fillimisht kjo alarmoi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila bëri tre padi në Prokurinë e Durrësit siaps ministrit Niko Peleshi. Por, kur duket se prokuroria e Durrësit nuk po “çante” dot më përballë pushtetit politik dhe ekonomik, ndërhyri SPAK duke nisur vetë hetimet.
Ndërkohë, nuk është hera e parë që Porto Romano është nën radarin e njësive të inteligjencës perëndimore nisur edhe për shkak të “pehlivanllëqëve” që bëhen herë pas here me naftë ruse dhe libiane kontrabandë. /AlbEu.com