Zhdukja e “mbretit të lotove”, Prokuroria e Kurbinit rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkohet marrja në pyetje e Lamit

Prokuroria e Kurbinit i është drejtuar Gjykatë së Lartë me rekurs për sa i përket zhdukjes së “mbretit të lotove”, Ervis Martinaj.

Albeu mëson se bëhet fjalë për dy kërkesa, mbi Jeton Lamin, ish-efektivin e operacionales, i cili është arrestuar për shpërdorim detyre.

Në njërën prej tyre kërkohet që të lejohet marrja në pyetje e të pandehurit, ndërsa në tjetrën kërkohet lënia në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë dhe të Apelit, në caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për Lamin.

Kujtojmë se Lami ishte personi i fundit referuar të dhënave që kanë autoritetet hetimore, që është parë në shoqërinë e Martinajt.

Ish-efektivi ra në pranga më 24 gusht të vitit që shkoi me kërkesë të Prokurorisë së Laçit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Prej 9 gushtit 2022 fati i njeriut të cilësuar si “mbreti i lojërave të fatit”, vijon të mbetet i mbuluar nga misteri dhe policia ende nuk ka një përgjigje nëse Ervis Martinaj e ka inskenuar ngjarjen, apo është rrëmbyer e vrarë nga kundërshtarët.

Kujtojmë se më 26 dhjetor 2022, FNSH dhe RENEA bastisën shtëpinë e Martinajt në Fushë-Kuqe.

Ata zbuluan dhe sekuestruan armë dhe municion luftarak në banesën e Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinajt.

Armët e municionet u zbuluan të futura në kosheret e bletëve në një ambient të përbashkët të familjes Martinaj.

Por pavarësisht zbulimit të municionit luftarak askush nuk u shoqërua për tu marrë në pyetje.

Burime nga organi i akuzës në Kurbin u shprehën  se urdhri ishte dhënë për kontrolle të befasishme, dhe se ishte kompetencë e Policisë për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me sendet e jashtëligjshme të gjetura./Albeu.com.


Shtuar 6.01.2023 21:12