Një gjeneral rus i cili më parë udhëhoqi forcën pushtuese në Ukrainë nuk është parë në publik që nga e shtuna.
Inteligjenca amerikane dyshon se pikërisht Sergei Surovikin kishte njohuri paraprake për kryengritjen e udhëhequr nga shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta britanike “The Guardian”.
Gjenerali Surovikin, i njohur edhe si “Gjenerali i Fundit tëBotës” është kreu i forcave ruse të hapësirës ajrore dhe më parë komandanti suprem i Moskës në Ukrainë.
Prigozhin e kishte mirëpritur emërimin e tij në atë post në vitin 2022, duke e quajtur atë një “figurë legjendare” dhe “i lindur për t’i shërbyer atdheut të tij”.
Lidhjet e mirëpublikuara midis Surovikin dhe Prigozhin kanë nxitur thashethemet se Surovikin mund të spastrohet ose të vihet nën hetim për mbështetjen e kryengritjes.
Kur Prigozhin nisi kryengritjen e tij, Surovikin bëri një deklaratë të qartë kundër saj dhe në mbështetje të qeverisë ruse të premten vonë.
“Ne luftuam së bashku me ju, rrezikuam, fituam së bashku”, tha Surovikin. “Ne jemi të të njëjtit gjak, jemi luftëtarë. Unë ju bëj thirrje të ndaloni. Armiku pret vetëm përshkallëzimin e situatës së brendshme politike në vendin tonë”.
Megjithatë, New York Times, duke cituar burime të inteligjencës perëndimore, raportoi të mërkurën se Surovikin kishte njohuri paraprake për kryengritjen e armatosur të Prigozhin, në të cilën mercenarët e tij Wagner pushtuan qytetin e Rostov-it dhe shkuan në Moskë përpara se të përfundonin një marrëveshje amnistie.
Zyrtarët amerikanë të informuar mbi inteligjencën thanë se nuk e dinin nëse Surovikin ishte i përfshirë në mënyrë aktive në komplot, i cili kulmoi me një marshim të ndërprerë në Moskë të disa autokolonave të Wagner me armë të rënda.
Qëllimi tjetër i dështuar i rebelimit mund të ketë qenë rrëmbimi i ministrit të mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe kreut të forcave të armatosura të Rusisë, Valery Gerasimov, raportoi Wall Street Journal të mërkurën.
Raportet e njohurive të Surovikin për komplotin, nëse konfirmohen, mund të ndihmojnë në shpjegimin e një reagimi të dobët ushtarak ndaj kryengritjes.
Shumica e analistëve në Rusi dhe jashtë saj ishin skeptikë se Surovikin, një besnik që kishte marrë përsipër komandën e forcave ruse ndërsa ato ishin nën presion të madh nga një kundërsulm ukrainas, do të merrte pjesë në një kryengritje të plotë.
Rob Lee, analisti ushtarak amerikan, tha se Wagner luftoi me trupat teknikisht besnike ndaj Surovikin gjatë fundjavës.
“Thjesht dua të theksoj se Surovikin është komandanti i Forcave Hapësinore Ruse dhe Wagner rrëzoi më shumë se shtatë avionë, duke përfshirë disa avionë që nuk ishin të armatosur”, shkroi ai të mërkurën. “E habitshme nëse komandanti i Forcave Ajrore Ruse po ju mbështet aktivisht”.