Prokuroria e Posaçme, ka publikuar të dhënat e fundit në lidhje me krimet zgjedhore. Bëhet me dije se janë administruar 123 materiale kallëzuese, ku 35 prej tyre kanë kaluar në fazën e hetimit, pra janë regjistruar si procedime penale.
22 janë vendime për mosfillim të hetimit penal, ndërsa 16 materiale kallëzuese janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore.
Të lidhura
None found
SPAK njofton se 10 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë Vendore të Policisë për informacion shtesë, ose për kryerje të veprimeve të para, ndërsa 1 material është bashkuar me një çështje tjetër ekzistuese.
Në lidhje me 35 procedimet, 20 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit, 8 janë nisur kryesisht nga SPAK.
Vetëm 3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm. Dy të tjera kanë nisur nga kallëzimet e subjekteve politike dhe dy të fundit janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.
“29 procedime janë regjistruar për veprën penale të nenit 328 (korrupsionit aktiv në zgjedhje).
4 procedime janë regjistruar për të dy nenet, respektivisht, sipas nenit 328 me nenin 328/b (korrupsioni aktiv/pasiv në zgjedhje).
1 procedim është regjistruar sipas nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike).
1 procedim është regjistruar për nenin 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe nenin 248 (shpërdorimi i detyrës)”, thuhet në njoftimin e SPAK.
