Zgjedhjet në Vlorë/ Berisha: Ne do mbështesim kandidatin që kemi deklaruar

Këtë të hënë, në një deklaratë për mediat nga selia blu, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se PD nuk ka asnjë dilemë për kandidatin që do të mbështesë në zgjedhjet e pjesshme në bashkinë e Vlorës.

Berisha sulmoi këshilltarin e PD në Vlorë, Gjergji Nika, i cili shpalli kandidaturën si i pavarur në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.

Sipas kryedemokratit, ai s’ka asnjë lidhje me PD, pasi është këshilltar i propozuar nga ish-kryetari Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.

“Së pari, ai nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Ai është këshilltar i propozuar nga Basha me Alibeajn, nuk e lidh asgjë me PD. Kështu që të pyesësh se kë do mbështesë PD, ne do mbështesim kandidatin që kemi deklaruar se do të mbështesim. Nuk kemi asnjë lidhje me atë kandidatin kallp.

Edhe ai nuk ka thënë se, është kandidat i PD. Ai ka thënë jam i pavarur. I pavarur, tjetër problem”, u shpreh Berisha.


Shtuar 20.10.2025 13:45