Partia Socialiste, po vijon përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen në 9 nëntor në 6 bashki, përfshirë Tiranën.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme vendore në Tiranë, Belinda Balluku, ndau sot momente nga takimi i organizuar në selinë e PS-së mbrëmjen e djeshme me të gjitha shtabet e njësive të Tiranës.
Balluku postoi momente nga takimi me Ogerta Manastirliun në selinë e Partisë Socialiste dhe me të gjithë shtabet e njësive të Tiranës, duke u shprehur se skuadra është fuqizuar me Taulant Ballën, Niko Peleshin, Ulsi Manjën, Milva Ekonomin.
Duke iu përgjigjur deklaratave të opozitës, Balluku theksoi se; “hedhin baltë e viktimizohen dhe nuk e kanë kuptuar kurrë që forca e socialistëve buron nga bashkimi”.
“Pastaj mërziten e shpikin lloj-lloj skenarësh, nga ato që kanë bërë vetë ndër vite, hedhin baltë, çirren e viktimizohen, por nuk kanë faj. Nuk e kuptuan kurrë që forca e socialistëve buron nga bashkimi, angazhimi i palodhur, misioni i secilit për ta parë Shqipërinë gjithmonë e më mirë, gjithmonë e më të fortë. Vetëm përpara, pak hapa larg Europës”, u shpreh ajo.
Për kreun e bashkisë së Tiranës, Partia Socialiste kandidon me Ogerta Manastirliun, ndërkohë që pritet zyrtarizimi i kandidatëve në 5 bashkitë e tjera.
Vetë Manastirliu, vlerësoi se në takimet maratonë me shtabet e njësive të Tiranës ka një angazhim maksimal dhe bashkërendim të punës në territor.
“Me përkushtim dhe me energji të reja, për të qenë pranë njerëzve, në çdo lagje e çdo rrugicë, për Tiranën e së ardhmes që meritojnë qytetarët tanë”, u shpreh Manastirliu.
Ndërkohë për Tiranën, Partia Demokratike, ka deklaruar mbështetjen për kandidatin e pavarur Florian Binaj.