Zgjedhjet e pjesshme lokale, pse nuk ka ftesë për PD? Meta zbulon arsyen përse takoi vetëm Ballën

Pesë ditë pasi presidenti Ilir Meta njoftoi që nuk do të konsultohej me partitë politike për datën e zgjedhjeve në bashkitë pa kryetar, ndryshe ka ndodhur sot pasi në presidencë ka qenë  kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Pas takimit Meta tha se ska pasur ftesë zyrtare për asnjë parti.

“S’ka pasur ftesë zyrtare për asnjë forcë politike. Në vijim të koherencës që jam shprehur unë për të cilën flet edhe legjislacioni për zgjedhjet e imponuara për shkak të vakancave për arsye të ndryshme. Për të zgjidhur këtë çështje ju i dini iniciativat e mia. Në të gjitha veprimet që kam ndërmarrë kam komunikuar me këto institucione edhe me Gjykatën kushtetuese për çështjen e Lushnjes për të cilën presim vendim përfundimtar sot.

Në rast se do kisha bërë ftesa për partitë këto do i ishin drejtuar të gjitha forcave. S’ka pasur ftesë për PS si parti se përndryshe do i bëhej kryetarit të partisë apo sipas hierarkisë sekretarit të partisë. Por ka pasur kërkesë informative, për një konsultë me kryetarin e shumicës në kuvend që është Balla meqë kemi pasur disa dilema të interpretimit të ligjit lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Besoj se duhej të jepja një sqarim me zotin Balla si përfaqësues i shumicës në Kuvend për një mendim të komisionerit shtetëror të zgjedhjeve apo kryetarit të kq që çdo ditë më shumë kohë për KQZ do ishte ndihmuese për një proces sa më cilësor”.