Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së PD për zgjedhjet e 4 Gushtit në Himarë, nga ku rezultoi se Vangjel Tavo i PS-së fitoi postin e Kryebashkiakut me rreth 1500 vota përpara kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria.
KAS u njoh me raportin lidhur me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Sipas raportit të paraqitur, pas hapjes së 36 kutive të materialeve zgjedhore, që përkojnë me po kaq qendra votimi sa kishte Bashkia e Himarës, nuk janë evidentuar mospërputhje.
Lidhur me numrin e personave që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe nuk janë lejuar të votojnë për shkak të skadencës së dokumenteve, ka rezultuar se janë vetëm 161 persona.
Përfaqësuesi i opozitës tha se janë rreth 26 % e votuesve me dokumente të skaduara që nuk u lejuan të votojnë, duke zhbërë kështu të drejtën e votës.
Sipas tij, janë të paktën 256 raste kur nga votues është rinovuar karta e identitetit në kohë rekord, 1 apo dy ditë para zgjedhjeve, aq sa nuk njiheshin nga sistemi PEI këto karta.
“Prodhimi i dokumenteve varet nga një kompani shtetërore, ne i qëndrojmë indicies që 311 shtetas janë shtuar në Himarë, 90 shtetas të tjerë janë shtuar pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, mbi 560 shtetasve iu mohua e drejta e votës, kemi pasur zhvendosje të zgjedhësve nga një qendër në tjetrën, kemi 88 raste kur votuesit nuk janë identifikuar përmes shenjave”, tha përfaqësuesi i opozitës.
Sipas tij, të gjitha këto shkelje përbëjnë arsyet për shpalljen e pavlefshmërinë e zgjedhjeve, në të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë.
Ndërkohë përfaqësuesi i Partisë Socialiste tha se pavarësisht se nuk kishte asnjë bazë ligjore, KAS miratoi hapjen e kutive.
“Shumë mirë që u hapën kutitë, të paktën kështu mbyllet njëherë e mirë debati mbi Himarën. Nga hapja e kutive nuk kemi asnjë shkelje të evidentuar, qendër për qendër”, tha përfaqësuesi i PS-së.
Sipas tij, janë vetëm 161 votues që nuk kanë votuar për shkak të dokumenteve, ndërsa u rrëzua ajo shifra 6 mijë që u tha në fillim.