Zgjedhjet e 14 Majit/ Berisha e konfirmon: Në orët në vijim, opozita finalizon koalicionin me Partinë e Lirisë

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka konfirmuar koalicionin me Partinë e Lirisë  për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Më mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha tha se në orët në vijim opozita do të finalizojë koalicionin me Ilir Metën.

“Opozita finalizon në orët që vjen koalicionin e rëndësishme me të cilin i jep Edi Ramës dhe monizmit të tij goditjen fatale më 14 maj. Ai mbetet në koalicion vetëm me Alibashën dhe Lul Bravën. Por unë një gjë do u them demokratëve, se nuk ka zgjidhje më të gabuar sesa zgjidhja për t’u keqpërdorur si patericë e Ramës.” tha Berisha.

Më tej Berisha tha në mbledhjen e grupit tha se Enkelejd Alibeaj kërkon të futet në zgjedhje me vetëm një qëllim, të ndihmojë Edi Ramën.

Berisha tha se nuk mundtë ketë besim tek kandidatët e Alibeajt se nuk do zbatojën urdhrat e Edi Ramës, duke u ndalur tek Agron Kapllnaj, kandidati i Alibeajt për Mallkastrën. Berisha e akuzoi atë se merr tendera nga Rama e Veliaj, ndërsa e cilësoi si ‘Pallat Kapllani’.

“Të marrësh përsipër për të kandiduar vetëm për të dëmtuar opozitën, për të dëmtuar Ramën kjo përbën një akt shumë të rëndë personal. Unë nuk mund të imagjinoj që një njeri i lirë me dinjitet që ia lejon vetes. Unë nuk mund të kem besim te pallat kapllani, që numëron në listë 90 e ca tendera nga qeveria, tani së fundimi edhe nga Veliaj, s’do jetë i detyruar të zbatojë urdhrat. Kam besim te qytetarët, demokratët që do bashkohen do i trajtojnë këtë individë si paterica të Ramës dhe do i japin përgjigjet e merituara. Rama është në përpëlitjet e fundit”, tha Berisha.

 

Në limitet e afateve ligjore për të regjistruar koalicionet, opozita pritet të dorëzojë sot në KQZ marrëveshjen mes disa forcave politike që do të përbëjnë edhe koalicionin opozitar.

Deri tani janë të paktën katër parti të kampit të djathtë që do të jenë pjesë e koalicionit ku do të futen edhe kandidatët e Primareve të Sali Berishës.

Mësohet se Partia e Lirisë e Ilir Metës, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules, Partia Demokristiane e Nard Ndokës dhe Partia Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit do të jenë katër forcat politike, pa përjashtuar edhe parti të tjera që mund të bashkohen deri në mbrëmje, që do të përbëjnë koalicionin opozitar.

Partitë kanë rënë dakord që në zgjedhjet për kryetarin e bashkive të mbështesin kandidatin e dalë nga Primaret të organizuara nga ish kryeministri Berisha. Ndërkohë që në zgjedhjet për këshillat bashkiakë, partitë do të dalin me një listë të përbashkët ku pesha e secilës forcë politike do të jetë vendimtare në renditjen e kandidatëve, veçanërisht në pjesën fituese të listës./albeu.com/ 


Shtuar 15.03.2023 14:30