Ditën e sotme, do vijojë dhe procesi i rinumërimit të kutive të votimit, për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit për qarkun e Tiranës.
Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet, sot do të vijohet me ditën e katërt të rinumërimit, ku deri më tani janë hapur 355 kuti nga 1282 në total të qarkut.
Sipas informacionit zyrtar të KQZ, deri më tani janë rinumëruar rreth 30% e kutive të votimit për qarkun e Tiranës.
Me 355 kutitë e hapura deri më tani, PD kryeson me votat që nuk i takonin. PD rezulton se ka 177 vota të pamerituara, ndërsa PS 170, të cilat iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë.
Edhe Nisma Shqipëria Bëhet, rezulton se deri më tani ka 20 vota të pamerituara, Lëvizja Bashkë 15.
Partia Social Demokrate e Tom Doshit, humbet 22 vota që i ishin shtuar më 11 maj.
Ndërkohë partive të vogla iu shtohen disa vota, konkretisht Koalicioni i Lulzim Bashës nga rinumërimi merr 15 vota më shumë, 6 vota më shumë shkojnë për koalicionin e Enkelejd Alibeajt.