Zgjedhjet e 11 majit/ Rama falenderon diasporën: Mesazhi juaj na bën më të përkushtuar për Shqipërinë 2030 në BE

Përmes një reagimi në llogarinë e tij personale në “Facebook”, kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, ka falenderuar diasporën shqiptare për mbështetjen në zgjedhjen e 11 majiit, që i dhanë mazhorancës socialiste një mandat të katërt qeverisës.

Rama thekson kjo fitore mbart një mesazh të fuqishëm, për objektivin kombëtar të anëtarësimit të vendit në BE brenda vitit 2030.

“Një falenderim krejt të posaçëm për shqiptarët që nga Greqia, Italia, Amerika e çdo anë e Europës dhe botës, që iu bashkuan trenit të fitores, duke e bërë atë edhe më domethënëse – jo thjesht për nga numrat, por në radhë të parë për nga mesazhi i fuqishëm i shumicës së tyre dërrmuese”.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se ky besim i ripërtërirë do të shërbejë si një shtysë e mëtejshme për angazhimin drejt objektivit kombëtar: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

“Ky mesazh do të na bëjë edhe më të përkushtuar për Shqipërinë 2030 në BE”, – nënvizoi Rama në përmbyllje të mesazhit të tij, duke uruar një ditë të mbarë për të gjithë qytetarët.

 


Shtuar 20.05.2025 09:05