Zgjedhjet e 11 majit/ KAS vendos nesër për Kukësin

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, KAS, vendosi në mbledhjen e radhës për shqyrtimet e ankimimeve të Partisë Demokratike në lidhje me kontestimin e tabelave të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit të certifikuara nga KQZ për të 12 qarqet, që të shpallë të enjten vendimmarrjen për qarkun e Kukësit.

PD kërkoi pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve për këtë qark.

Sipas njoftimit të KAS, vendimi do të jepet ditën e enjte (nesër), datë 5 qershor, në orën 09:50.

Ndërkohë, në mbledhjen e sotme, në rend dite ishin edhe ankimimet për Fierin dhe Durrësin.

Përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, pretendoi në ankimimin e tij për Fierin, ku demokratët humbën thellë 12 me 4 mandate ndaj PS-së, se kishte parregullsi të shumta, duke u përqendruar tek përdorimi i makinerisë shtetërore dhe administratës, patronazhistëve dhe deri tek ‘asfalti elektoral’, devijimi i votës dhe veçanërisht vota e diasporës e manipuluar.

Ai kërkoi hapjen e kutive, verifikimin e votave të diasporës dhe fletëve të papërdorura, kërkesë që PD e shtoi më pas për të 12 qarqet që konteston.

Demokratët pretendojnë se janë 130 mijë fletë të papërdorura të manipuluara apo që nuk gjenden në kuti (sepse në procesverbale komisionerët kanë shënuar 0), por që deri tani nga hapja e disa kutive si në Berat dhe Vlorë, nuk rezultoi e vërtetë, pasi ato janë gjendur brenda të gjitha.

KAS pasi dëgjoi pretendimet për prova, shtyu mbledhjen për Fierin pas një jave, me qëllim shqyrtimin apo grumbullimin e mëtejshëm të tyre.

Më pas diskutimi kaloi edhe te Durrësi, ku u vu re prezenca në sallë edhe e dy prej kandidatëve të PD-së, Aulon Kalaja dhe Ilirjana Kuçana, që pretendojnë manipulimin e votës brenda partisë, që u ka hequr mandatin atyre në favor të Arjan Ndojës.

Pas diskutimeve me përfaqësuesit e KAS, sepse sipas ligjit kandidatët nuk mund të përfaqësohen individualisht, por me partinë, u kërkua verifikimi i 39 kutive.

Më parë, i përfaqësuar edhe nga Partia e Legalitetit në ankim, KAS ia kishte pranuar kërkesën Aulon Kalasë, por pa u shprehur për rinumërimin.

Dy kandidatët u lanë të ndiqnin mbledhjen, teksa pretendojnë se ka prova se vota e tyre ka devijuar.

Kandidati Aulon Kalaja dhe përfaqësuesi i tij shprehën qëndrimin për verifikimin e 39 kutive ku pretendohej se ishte devijuar vota e tij brenda PD-së dhe ku u shpreh se ka prova që duhen shqyrtuar.

Anëtari i KAS, Ilir Rusmali, kërkoi që provat të silleshin konkrete, me detaje se ku ndodheshin ato fletë votimi, edhe nëse ishin në më shumë se 39 kuti, por i kërkoi kohë ankimuesit Kalaja dhe i la afat deri ditën e hënë për këtë grumbullim faktesh që do dorëzonte.

“Deri ditën e hënë keni kohë të sillni jo 39 kuti, por 399 kuti po deshët. Mund të sillni provat tuaja vetëm në këtë formë, duke dhënë informacionin dhe ne të veprojmë.

Sillini dhe ne i verifikojmë e shqyrtojmë”, tha ai.

Një tjetër anëtar i trupës, Elvin Lako, vuri në dukje se për të qenë e lehtë analizimi i pamjeve, kandidati duhet të kishte edhe shënimet e vëzhguesve se në cilën moment ishin hasur problematikat me votën.

“Vëzhguesit duhet të kishin mbajtur shënim të gjitha problematikat me votën, t’i kishin raportuar të gjitha, sepse pa ato shënime është e vështirë që t’i kontrollosh dhe t’i gjesh në video.

Pra duhet ta kërkoni me shënime të sakta, që ta keni më të kollajshme për ta gjetur edhe në video sipas pretendimit”, u shpreh ai.

Kalaja u shpreh se i kishin këto të dhëna dhe do i dorëzonin. KAS e ka pranuar Kalanë si ankimues, por pa garantuar ende rinumërimin që kërkojnë.

Në fund, relatori i çështjes, Elvis Çefa, deklaroi shtyrjen e seancës dhe rimbledhjen e trupës për vendim ditën e martë, datën 10 qershor, ora 13:00 e pasdites.

Aulon Kalaja ka qenë një nga zërat më të fortë pas përfundimit të procesit të votimit, duke deklaruar se vota e tij është deformuar brenda koalicionit.

Ai mori 7291 vota, ndërsa mandatin e vetëm të kësaj liste e fitoi Arian Ndoja me 8249 vota. Pretendimi i tij ka qenë për deformim të votës preferenciale duke kërkuar mandatin e deputetin Arjan Ndoja.


Shtuar 4.06.2025 21:39

Tags: ,