Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim, shprehu sot sërish shqetësim ndaj procesit të përzgjedhjes së kreut të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në një postim të gjatë në Twitter, ambasadorja Kim theksoi se “procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet”, duke vënë në dukje më tej thelbi i Reformës në Drejtësi, ka të bëjë me faktin se “drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”.
1/4 “Gjatë javës së fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK, i cili do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa frikë apo favore. https://t.co/MLQfaiDXa1
— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) December 14, 2022
Pak më pas, për të njejtën çështje u prononcua po në Twitter, kryeministri Edi Rama. Si për të shuar dyshimet se postimi i tij nuk është një replikë ndaj ambasadores, ai që në krye shkruan se është “plotësisht dakort me Twitterin e ambasadës amerikane”. Por ndërsa vë në pah se kreun e SPAK e zgjedh vetëm “Këshilli i Lartë i Prokurorisë që varet vetëm nga anëtarët e vet” dhe askush tjetër, përfshirë dhe qeverinë, bie në sy fakti mënyra se si e veçon përfaqësinë amerikane në këtë listë kur shkruan “ambasada jo e jo”.