Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti sot në Kanada për t’u takuar me kryeministrin dhe për të mbajtur një fjalim para Parlamentit kanadez, njoftoi zyra e Justin Trudeau.
Dje të enjten, Zelensky zhvilloi bisedime në Uashington me presidentin amerikan Joe Biden dhe anëtarët e Kongresit të SHBA – një ditë pasi ai iu drejtua Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
Krahas kryeqytetit Otava, Zelensky do të vizitojë edhe Toronton ku do të takohet me biznesmenë kanadezë, me shpresën për të siguruar investime për ditën e pasluftës në atdheun e tij.
“Kanadaja mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për popullin e Ukrainës, i cili po lufton për sovranitetin dhe demokracinë e tyre, por edhe për vlerat tona të përbashkëta, si respekti për sundimin e ligjit, lirinë dhe vetëvendosjen”, tha kryeministri Trudeau.
Në qershor, Justin Trudeau bëri një vizitë të papritur në Kiiv, ku u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kanadaja ka ofruar ndihmë të konsiderueshme ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, ndërsa ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e saj në vendin fqinj.
“Që nga fillimi i pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, Kanadaja ka mirëpritur më shumë se 175,000 ukrainas”, thekson zyra e kryeministrit Trudeau.