Zelensky sot në Romë, takohet me Mattarellën, Melonin dhe Papa Françeskun

Presidenti italian Sergio Mattarella do të mirëpresë sot në Romë homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, siç konfirmoi presidenca italiane për DPA. Zelenskiy pritet të takohet edhe me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe Papa Françeskun.

Kjo është hera e parë që presidenti ukrainas viziton Romën që nga pushtimi rus në vendin e tij.

Që nga vjeshta e vitit 2022, kur erdhi në pushtet, Meloni ka qenë një mbështetëse e flaktë e Ukrainës. Ajo kishte vizituar Kievin në shkurt për të demonstruar mbështetjen e vazhdueshme të vendit të saj për Ukrainën.

Zelensky ishte takuar me Papën në Vatikan në vitin 2020 dhe që nga shpërthimi i luftës, të dy kanë folur vazhdimisht me telefon.

Përveç kësaj, Papa Françesku i thërret besimtarët pothuajse çdo ditë që të luten për Ukrainën dhe i ka bërë thirrje Kievit dhe Moskës të bien dakord për një armëpushim.

Megjithatë, ai ende nuk e ka pranuar ftesën e Kievit për të vizituar kryeqytetin ukrainas, duke thënë se do të shkojë vetëm nëse ftohet në Rusi.

Për momentin nuk është e qartë nëse Zelensky do të shkojë në Gjermani nesër të dielën pas Romës.

Prej disa ditësh në Berlin kanë nisur përgatitjet për një vizitë të afërt prej tij, por kjo nuk është konfirmuar.

Nesër Zelensky do të nderohet në emër të popullit ukrainas me çmimin Charlemagne në Aachen të Gjermanisë. Nuk dihet ende nëse ai do të marrë pjesë në ceremoni./Albeu.com.


Shtuar 13.05.2023 08:41

Tags: ,