Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se rrethimi rus i qytetit port të Mariupolit përbën një “krim kundër njerëzimit”.
Duke iu drejtuar parlamentit danez, ai tha se kjo po ndodhte para syve të të gjithë planetit në kohë reale.
Disa ekspertë ushtarakë sugjerojnë se rënia e Mariupolit mund të jetë e pashmangshme, por është e pamundur të thuhet se kur apo edhe nëse kjo do të ndodhë patjetër.
Ajo që mund të themi është se qyteti ka parë agresionin më të keq të Rusisë në Ukrainë, me dhjetëra mijëra civilë të bllokuar nën bombardimet dhe granatimet e pandërprera pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo gaz.
Me qytetin e rrethuar nga forcat pushtuese, njerëzit nuk kanë rrugëdalje të sigurt. Madje edhe rrugët e evakuimit janë vënë në shënjestër.
Agnes Callamard, sekretarja e përgjithshme e grupit të të drejtave të njeriut Amnesty International, ka akuzuar Rusinë për krime lufte në qytet.
“Rrethimi i Mariupolit, mohimi i evakuimit humanitar dhe arratisjes humanitare për popullatën, dhe shënjestrimi i civilëve, sipas hetimit të Amnesty International, përbën krime lufte”, tha ajo në një konferencë për shtyp duke shtuar se ky është realiteti i Ukraiës.
Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët, megjithëse sulmet e saj ndaj objekteve joushtarake dhe ndërtesave të banimit në të gjithë vendin, përfshirë në Mariupol, janë dokumentuar mirë./albeu.com