ZBULOHET SKEMA/ Osmani kopjonte çelësin e makinave që merrte me qira dhe më pas i vidhte, i shiste për pjesë në servisin e tij

Policia ka arrestuar ditën e sotme Mirdash Osmanin, i cili vodhi një automjet në Tiranë  dhe e çoi në servisin e tij në Gjoricë.

Bëhet me dije se  42-vjeçari i vidhte automjetet në kryeqytet dhe më pas i shiste për pjesë në servisin e tij. Ky shtetas fillimisht i merrte mjetet me qira, më pas i bënte kopje çelsit dhe pas 6 muajsh i vidhte.

42-vjeçari banues në Gjoricë, Dibër, më 15 dhjetor vodhi një automjet tip “Golf”, në rrugën “Mikel Maruli”.

Gjatë kontrollit në servisin e tij, në fshatin Gjoricë, policia gjeti makinën me të cilën ka lëvizur ditën që ka kryer vjedhjen, automjetin e vjedhur, pjesë motorike automjetesh të tjera, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me veshjet që autori ka përdorur gjatë ngjarjes.

Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni është proceduar penalisht edhe një 17-vjeçar, i cili rezulton të jetë djali i Osmanit./albeu.com


Shtuar 25.12.2023 12:01