Departamenti i Drejtësisë publikoi dje shumë të dhëna të tjera nga dosjet hetimore mbi Jeffrey Epstein. Mes 3 milionë materialeve te reja që u publikuan, përmendet edhe Shqipëria. Në faqen e Departamentit të Drejtësisë rezulton një E-maili që ish-Sekretari i Përgjithshëm i KiE, Thorbjørn Jagland, i shkroi Epsteinit pas vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 2012.
Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”
Email-i është dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike. Sipas arkivave zyrtare, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jagland ka zhvilluar takime institucionale me Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm i kohës, Sali Berishën, kryeministër, Bamir Topin, president i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri.
Thorbjørn Jagland ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, institucioni paneuropian që mbikëqyr demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës në 47 vende. Ai ka qenë gjithashtu ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë.
Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i bërë në këtë komunikim privat nuk shoqërohet me shpjegime apo kontekst shtesë dhe, deri më tani, nuk ka prova publike që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi. /dosja
