Kryeministri Edi Rama, do të mbledhë Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste ditën e enjte, më 11 shtator, për të shpallur prioritetet dhe ekipin me të cilin do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, u ka çuar anëtarëve të Asamblesë njoftimin për mbledhjen dhe rendin e ditës.
Në njoftim sqarohet se mbledha do të zhvillohet në orën 09:30 dhe i pari do të flasë kryetari i PS-së, njëherësh kryeministri Edi Rama dhe pjesa tjetër e mbledhjes do t’i kushtohet pyetjeve apo diskutimeve.
Kjo është mbledhja më e rëndësishme e forumeve socialiste, pasi kryeministri Edi Rama, do të skicojë mandatin e katërt qeverisës dhe do të shpallë emrat e ministrave me të cilët ai synon të drejtojë vendin deri në pranverën e vitit 2029.
Për herë të parë pas viteve ‘90, një forcë politike fiton katër mandate radhazi për të drejtuar vendin, dhe të paktën një gjë është e qartë deri tani se prioritet i kryeministrit Rama dhe kabinetit të tij qeverisës është anëtarësimi i Shqipërisë në BE në vitin 2030, premtim me të cilin Edi Rama fitoi zgjedhjet e 11 majit.
Përveç qeverisë, pritet që në Asamble Edi Rama, të shpallë edhe emrin e kryetarit të kuvendit, nënkryetarit si dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS.
Një ditë pas Asamblesë Kombëtare të PS, në datë 12 shtator pritet të zhvillohet edhe mbledhja e parë e parlamentit të ri duke zyrtarizuar fillimin nga puna të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 majit.