Zbulohet arsyeja e paraqitjes së ish-ministres Denaj në SPAK

Ish-ministrja e Financave, Anila Denaj është paraqitur sot në SPAK. Denaj është paraqitur sot e vetme në Prokurorinë e Posaçme.

Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se do të merret në pyetje për koncesionin e sterilizimit.

Kujtojmë se koncesioni i sterilizimit është kallëzimi i parë në SPAK, ndërsa përveç saj disa herë është thirrur dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja

Në vitin 2015 qeveria vendosi që shërbimi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale të mos ofrohej nga vetë spitalet, por të kalohej me koncension.

Kështu me datë 10 dhjetor 2015, Ministria e Shëndetësisë, ka lidhur një kontratë koncesionare 10-vjecare me kompaninë “Sani Service”.

Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare, me një vlerë fillestare të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh, por të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë një tejkalim të shumëfish të pagesave ndaj kompanisë.

Tenderi për sterilizimin për setet kirurgjikale është nën hetim prej 4 vitesh, megjithatë ende nuk ka një konkluzion të hetimeve dhe dosja është në limite të afateve ligjore, me rreth një muaj nga mbyllja.

Kujtojmë se Anila Denaj mori postin e Ministres së Financave në dhjetor 2018, deri në shtator 2021, kohë kur u zëvendësua nga ministrja aktuale Financave Delina Ibrahimaj.


Shtuar 4.08.2023 11:11